Secondary Adv

Mars-korrik, shqiptarët shpenzuan 80 mln euro më shumë për naftë, konsumi i pandryshuar

Shqiptarët kanë paguar rreth 80 milionë euro më shumë për karburantet gjatë periudhës mars-korrik 2026, ndërsa sasitë e konsumuara kanë ndryshuar shumë pak.

Importet ranë me vetëm 1.2 për qind, ndërkohë që rritja e fortë e çmimeve e çoi faturën në rreth 71.3 miliardë lekë.


Në teori, rritja e çmimit të karburantit duhet të sjellë uljen e përdorimit të automjeteve, por në Shqipëri kjo lidhje rezulton më e dobët. Mungesa e alternativave të zhvilluara të transportit publik, veçanërisht për lëvizjet ndërqytetëse, e bën përdorimin e automjetit një nevojë që vështirë se reduktohet edhe kur çmimet rriten ndjeshëm.


Gjatë pesë muajve mars-korrik 2026 u importuan rreth 305.8 mijë tonë karburante, vetëm 1.2 për qind më pak se 309.6 mijë tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Importet ranë me 14.3 për qind në prill dhe 7.3 për qind në maj, ndërsa në mars u rritën me 2.8 për qind. Tendenca ndryshoi gjatë verës, me një rritje prej 4.6 për qind në qershor dhe 6.9 për qind në korrik, e ndikuar edhe nga shtimi sezonal i lëvizjeve dhe fluksi turistik.


7.6 miliardë lekë më shumë vetëm nga rritja e çmimit

Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, duke supozuar se karburantet e importuara kanë kaluar për konsum në tregun vendas, për sasitë e importuara nga marsi deri në korrik janë shpenzuar rreth 71.3 miliardë lekë, bazuar në çmimin mesatar mujor të naftës në treg.


Nëse e njëjta sasi do të ishte blerë me çmimin mesatar të vitit të kaluar prej rreth 175 lekësh për litër, fatura do të ishte rreth 63.7 miliardë lekë. Diferenca arrin në 7.6 miliardë lekë, ose afërsisht 80 milionë euro më shumë, si pasojë e çmimit më të lartë të karburantit.


Çmimi mesatar i naftës ishte 198.4 lekë për litër në mars, u rrit në 209.5 lekë në prill dhe zbriti në 197.5 lekë në maj. Në qershor mesatarja ra në 182.4 lekë, ndërsa në korrik u rrit sërish në 195.6 lekë për litër.


Vetëm në korrik, rreth 75.8 mijë tonë karburante të importuara përllogariten në rreth 90.2 milionë litra. Me çmimin mesatar prej 195.6 lekësh për litër, fatura arriti në rreth 17.6 miliardë lekë, kundrejt 15.8 miliardë lekëve që do të kushtonte e njëjta sasi me çmimin 175 lekë për litër.


Në prill, kur çmimi mesatar arriti kulmin e periudhës prej 209.5 lekësh për litër, importet ranë ndjeshëm, por tkurrja nuk ishte e mjaftueshme për të kompensuar shtrenjtimin. Për rreth 61.9 milionë litra të përllogaritura, fatura arriti në rreth 13 miliardë lekë, mbi 2.1 miliardë lekë më shumë se me çmimin mesatar të vitit të kaluar.


Nafta më e shtrenjtë në rajon, masa të kufizuara lehtësuese

Shqipëria ka një çmim të naftës rreth 30 për qind më të lartë se mesatarja e rajonit, e ndikuar edhe nga ngarkesa fiskale. Ndryshe nga disa vende fqinje, masat për amortizimin e rritjes së çmimeve kanë qenë më të kufizuara. Kosova vendosi kufij maksimalë për marzhet e tregtimit, Maqedonia e Veriut ndërhyri nëpërmjet TVSH-së dhe akcizave, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi aplikuan ulje të akcizave.


Në Shqipëri, përveç ndërhyrjes përmes Bordit të Transparencës, u aplikua për një periudhë të shkurtër ulja me 20 për qind e akcizës, pasi çmimi i naftës kaloi pragun prej 220 lekësh për litër. Masa u aktivizua në fillim të prillit, kur nafta arriti në 224 lekë për litër, ndërsa më pas çmimet qëndruan nën pragun që mundësonte uljen.


Akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja përbëjnë së bashku mbi 100 lekë për litër në çmimin e naftës. Rritja e çmimeve ka sjellë edhe më shumë të ardhura nga TVSH-ja për buxhetin, ndërsa për uljen e akcizës, të aktivizuar gjatë ditëve kur çmimi kaloi 220 lekë për litër në prill, janë shpenzuar 37 milionë lekë.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat